Disa tregime nga libri
Fantazmat e një epoke të mërzitshme

 

 

 

kopshtin zoologjik

   Duke shijuar i qetë kafen në një bar pranë qendrës së qytetit, dikush më mbuloi sytë me duar që mbara krahëve dhe, duke kapur hundën e vet me ndonjë dorë të tretë për të ndryshuar zërin, më kërkoi t’i gjeja emrin. U tremba pak sepse isha zhytur në mendime për shkak të një qeni rrugaç, i cili shtrëngonte fort mes dhëmbëve dy testikuj të mëdhenj. Instiktivisht, shtrëngova të mitë, si për t’i mbrojur. Me siguri kërkonte ndonjë gropë për t’i fshehur, kështu kam dëgjuar se bëjnë qentë me ushqimin e tepërt. Ngaqë nuk e kisha gëlltitur plotësisht gllënjkën e kafes, u mbyta dhe fillova ta nxirrja nga hundët, por symbyllësi nuk më lëshoi, duke këmbëngulur të dëgjonte emrin e vet nga goja ime. Iu përgjigja nervoz se nuk më shkonte fare mendja kush mund të ishte, madje e kërcënova se do ta godisja në testikuj nëqoftëse nuk i jepte fund. M’u duk sikur u mendua pakëz, pastaj kërceu hopthi para meje dhe buzëqeshi si fëmijë. Mezi m’u kthye vështrimi për shkak të shtrëngimit të fortë. Shquajta turbull një të njohurin tim të vjetër, me të cilin nuk kisha marrëdhënie të tilla, sa të sillej në atë mënyrë. Megjithatë, buzëqesha dhe e ftova të ulej. Ai u kënaq dhe hapi duart të më hidhej në qafë, por derdhi zhurmshëm kafen time të mbetur dhe gotën e ujit, gjë që u pasua nga dhjetërat e shikimeve të klientëve të tjerë ulur në bar. Pasi kthyen kokat përsëri me përtesë dhe vazhduan bisedat e tyre, unë zgurdullova sytë drejt kamarierit si për t’i kërkuar falje pa fjalë. I njohuri im nuk e prishi fare terezinë, por hapi nja tre – katër biseda njëherësh, pa pritur ndonjë miratim prej meje, madje pas pak nuk po më shikonte fare, sepse i nguli sytë shalëve të gjata të një femre seksi ulur përballë. Sapo u bëra gati të ikja, madje duke i futur një të sharë, por që ndërrova mendje me shpresën se nuk do të më vinte re, më propozoi pa pikë turpi të vizitonim kopshtin e ri zoologjik të qytetit. Fiksoi me sy buzët e mia, të cilat lëvizën pa dëshirën më të vogël dhe shqiptuan një Po! të fortë. Kapulita sytë dhe dola në rrugë të nisesha drejt shtëpisë, por i njohuri më futi krahun nga e djathta, duke më tërhequr andej nga duhej të ishte rruga për në kopshtin zoogjik, në anën tjetër të qytetit. U ndjeva i paralizuar përpara entuziazmit të tjetrit. Ecëm rreth gjysmë ore, unë duke dëgjuar, ndërsa ai fliste pa pushim, derisa i’u afruam portës së kopshtit zoologjik. Atje gëlonte një turmë e zhurmshme njerëzish të paduruar, që zgjatnin biletat drejt rojes, i cili mezi po mbante në kokë një kapele uniforme të vjetër, shekullore do të thosha. U dhashë këmbëve andej nga erdhëm, i bindur se shoqëruesi do të ishte i një mendjeje me mua, por ai rezistoi, duke m’i ngulur thembrat në vend. Buzëqeshi dhe më tha se rojen e kishte mik të vjetër dhe që do ta rregullonte të hynim jashtë radhe. I urova vetes që roja të ishte i tërbuar nga kacafytja me njerëzit dhe të na përzinte me ulërima, por i mallkova të gjithë kur na e bëri me sy duke drejtuar kokën nga një derë e vogël hekuri, e cila dukej e mbyllur mirë, megjithëse u hap sapo e prekëm me dorë. Hymë brenda, duke u bashkuar me turmën e njerëzve, të cilët nuk vunë re asgjë. Kopshti zoologjik ishte shumë i vogël për të qenë një i tillë. Dukej si amfiteatër i vjetër, skena e të cilit ngrihej mbi një pirg dheu, ndërsa kafazët mbushur plot me kafshë e përqarkonin si gjysmërrathë njëri pas tjetrit. Sapo u afrova u sulmova nga kutërbimi i bajgave të hienave, të cilat po mbllaçitnin ca zorrë me ngjyra të ndezura. Hapa gojën t’i tregoja me gisht shoqëruesit tim një çift majmunësh që po çiftoheshin si të tërbuar, por ai më humbi nga sytë. Hetova nëpër turmën e njerëzve, e cila kundronte e heshtur vëmendshëm ndërzimin e dy breshkave në majë të piedestalit të një kolone antike. Krruajta kokën duke u rrotulluar, derisa shtanga prej vështrimit të një luani. Iu avita ngadalë kafazit të hekurt pa ia shqitur sytë, aq sa i ndjeva erën e keqe të gojës zaparitëse. U çudita kur vura re se nuk po më vështronte mua, por mbrapa krahëve të mi, madje m’u duk paksa i frikësuar, megjithëse unë nuk merrja vesh nga luanët. Thashë me vete se do të grindesha me shoqëruesin tim, nëqoftëse ishte mbrapa krahëve për të më kurdisur ndonjë rreng. Për ta trembur unë i pari, mendova të brofja vendit dhe të rrotullohesha në ajër këmbë e duar hapur dhe ashtu bëra. Në çastin që ndala kërcimin në anën tjetër, shtanga si i paralizuar. Turma e njerëzve po afrohej ngadalë drejt meje, me vështrimin ngultas e duke u zhveshur. Mes tyre vura re fytyrën e të njohurit tim, të cilën ai e çori me thonj dhe e flaku tutje si maskë. Të gjithë, lakuriq tashmë, shkulën maskat që mbanin dhe çorrën lëkurët e trupit. Brenda pak çastesh u gjenda gojëhapur nga habia përpara disa prej bishave më të egra e grabitqare të planetit: tigra, pantera, luanë, hiena, qen të egër, madje edhe disa krokodilë të stërmëdhenj. M’u ndal fryma nga gjithë ata çataj që më afroheshin hungëritshëm. U tremba edhe më shumë akoma, kur luani brenda kafazit, fryma e të cilit më rrihte shpatullat, më foli. Zëri i tij m’u drejtua vajtueshëm, si për të më ngushëlluar. Sapo bëra të kthehesha drejt tij, kafshët m’u sulën egërsisht, duke më mbërthyer pas hekurave të kafazit. Filluan të më shqyenin mishin, të gjitha njëherësh, me dhëmbë e thonj. Ndjeva brinjët të më shkuleshin dhunshëm nga trupi dhe zorrët që filloi t’i shthurte prej barkut një hienë, e cila ia mbathi me to mes dhëmbëve. Dihatjet erëkeqe, hungërimat tmerruese dhe dhimbja nuk më ndalën të ktheja kokën drejt luanit të kafazit, duke zgjatur drejt tij dorën që më kishte mbetur. Ai kapi krifën me putër dhe hoqi zorshëm atë që dukej se ishte vetëm një maskë, pas së cilës u shfaq koka e të njohurit tim. Më vështroi ngjethshëm me lot në sy dhe duke iu dridhur pakëz mjekra më tha:
    -Eh! Sa herë të kam thënë që kafshët flasin gjuhët e lashta?! Dhe që njerëzve nuk u duhet besuar kurrë!
Ndërkohë, një turi i gjatë me çataj të tmerrshëm m’u fut që poshtë kraharorit të shqyer dhe më shkuli zemrën. U përpoqa të mbaja sa më gjatë brenda mushkërive të copëtuara frymën e fundit, por nuk munda të shihja gjë tjetër, sepse sytë m’i mbuloi gjaku im, që rrodhi nga goja e një hiene tjeter, mbushur me rropullitë e mia te mbetura, e cila, pasi i përpiu me një frymë si të ishin makarona, filloi të më kërrmiste fytyrën me hungërima kënaqësie.

 

Autostop

   …një dorë e ngritur lart me gishtin e madh drejtuar nga njëra anë e rrugës, ndërsa nga ana tjetër një makinë e zezë afrohet ngadalë, e ndjekur nga kortezhi i përmotshëm me fytyra të lodhura, me një shprehje të padurueshme për të mbaruar sa më shpejt atë lamtumirë të fundit, e cila duket sikur po zgjat që prej një shekulli e që mbetet në mendjet e njerëzve si një çast i neveritshëm e i padurueshëm, ku ndërthuret më magjishëm se kurrë jeta dhe vdekja dhe njeriu i mban sytë e skuqur e të hapur fort vetëm te fytyra e shtrembëruar e njeriut të kthyer tashmë në hiç, dhe, prapëseprapë, të gjithë qajnë e vajtojnë për “ikjen e tij të papritur e të dhimbshme”, duke kujtuar të mirat  që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij, tashmë të kthyera mbrapsh e të pavlera, dhe për të mirat që ka lënë si trashëgim, pa harruar edhe ligësitë, që për një çast duket sikur u hapin rrugë të mirave, por pak nga pak bllokojnë gjithë rrugën, dhe, makina e zezë, e ndjekur nga kortezhi i përmotshëm, ndalet, duke mos patur rrugë tjetër për të mbaruar atë që ka nisur, dhe, njeriu që rri pranë rrugës, ende me gishtin e ngritur lart e me vështrim shpresues se ndokush mund ta marrë me vete, sepse është shumë i lodhur për të vazhduar rrugën i vetëm e më këmbë, dalngadalë ul poshtë dorën e lodhur, merr në krahë arkivolin, që e ka ndërtuar me duart e veta, dhe vazhdon përsëri rrugën më këmbë, me kokën poshtë, por që ndonjëherë e kthen mbrapa për të parë nëse është zhbllokuar rruga e makina e zezë ta arrijë, trembet nga një prekje e lehtë prapa krahëve dhe një zë, i cili i thotë t’i vendosë rrota arkivolit që mban në krahë, të hipë në të dhe ta drejtojë me timonin e duarve të veta, ashtu siç është dhe bën bota, nga e cila as një përcjellje me makinë dhe njerëz që të flasin për të mirat e tij nuk i dha, por vetëm i tregon rrugën nga duhet të ikë e të mos kthehet kurrë, megjithëse ai e di se kërkon diçka që nuk mund të jepet, përveçse rrotave të arkivolit, për të cilin njeriu fillon të shqetësohet se mbase shkatërrohet nga tronditjet e rrotave, që e ndihmojnë të ecë shumë më shpejt se makina dhe njerëzit e veshur me të zeza, të cilët ende nuk kanë nisur rrugën e vetme që nuk ka kthim, por vetëm vajtje, e cila varet edhe nga lloji i arkivolit e rrotave, që duhen drejtuar mirë, përndryshe del nga rruga e madhe dhe detyrohet patjetër të presë makinën mbrapa krahëve, për t’i bërë shenjë ta marrë edhe atë, prandaj japin vetëm rrotat e arkivolit, sepse kushtojnë më pak  dhe prishen më shpejt, duke i ofruar pasagjerë të mirëpritur makinës së zezë, e cila i ngjan më shumë makinës së plehrave të shpërndara kudo anash rrugës, ku vazhdon udhëtimi i njeriut që vendosi të ecë vetëm mbi arkivolin e vet, me kokën e rënduar nga mendime, që nuk e lejojnë të jetë një plehrë si gjithë të tjerat, por një që ecën mbi arkivolin e vet me rrota pothuajse të shqyera nga shpejtësia e madhe, me të cilën shkon njeriu dhe arkivoli i tij drejt gropës mbase jo të caktuar për të, që ka ardhur aq shpejt dhe si në ëndërr, por për një tjetër, që vjen nga mbrapa dhe vonohet nga plehrat  e shumta anash e nëpër rrugë, dhe njeriu detyrohet të hapë vetë edhe gropën, ku pret me padurim të fshihet nga bota, që mbase do ta lërë të presë radhën në qoftë se, pa mbaruar së hapuri gropën, do të arrijë makina e zezë e plehrave, prandaj gërmon nxitimthi me thonj duke vështruar rrotat tashmë të shqyera, që i ngjajnë si sytë e kortezhit të përmotshëm, të cilin nuk ka më zili ta ketë, me lot në sytë gjysmë të mbyllur e gati pa jetë, të cilët po pijnë pikat e fundit të burimit të shterur, duke marrë me vete gurgullimën e vetme që ngjason pak me zhurmën e rrotave të arkivolit, kur rrëshqet mbi rrugën e të gjithëve, në gllabërimin e çastit të sfidimit të rrugës së tepricës së pamundësive anonime…

 

Ballëpërballë

   Retë rrëshqasin turbull mbi mjegull. Duken si “Lines” të përdorura të rrëmbyera nga uji i një përroi të qetë, i cili të jep përshtypjen se rrjedh nga seksi i ndonjë perëndie (gjithmonë ëndërrojmë të ngjitemi atje duke u kacavjerrë nëpërmjet shiut-litar). Duket se shpëtuam edhe këtë herë nga ndonjë shtatzani e padëshiruar. Për të qenë më të sigurt në këto lloj marrëdhëniesh, filluam të shpikim pilula dhe gomë të hollë të pajisur me gunga të shumta. Por edhe nëqoftëse ndonjë mistrec i vogël me bisht do të mund t’i shpëtonte vdekjes, kur të merrte formën tonë dhe ne të dinim ku e kishte kokën, do t’ia këputnim pa humbur kohë dhe pa rrezikuar të ardhmen me prezencën e dikujt, që ndoshta mund të dalë mbi ne, të rrojë më shumë se ne, mbase përjetësisht, dhe pse jo, të jetë më i zgjuar se ne (patjetër më i zgjuar); duke sajuar diçka kundër kujtdo si ne. Hedhim drejt qiellit pilula me formë zhgënjyese për funksionin që kryejnë dhe parapërgatitim shterpësinë e atjeshme, për të mbetur racë e pastër dhe që gjithçka të rifillojë në mënyrën që ndodh prej mijëra vjetësh. Pasi mbarojmë së rregulluari shtratin e ri të pazakontë, të lodhur, marrim një sy gjumi të thellë.
    Do të zgjohemi një mëngjez, mbas një gjumi të gjatë, do të përtypim retë, ëndrrat dhe teneqetë e ndryshkura, që do ta na kenë ngelur nëpër mishrat e dhëmbëve dhe, të përgjumur e me një shije të amësht në gojë, do të nisemi drejt portës, duke përshkuar universin. Kur karvani i planetit tonë të mbërrijë atje do të ndjejmë një angështi e mpirje dhe do të mbetemi të ngrirë, pa lëvizur, me vështrimin ngulur në kurrizin e radhëparit. Nuk e di sa kohë do të qëndrojmë ashtu, por ndonjëherë do të mendojmë se ndoshta pas portës do të jetë e njëjta pamje. Atëherë, nga të dyja anët e portës do të flitet me vete, dhe, duke mos u ditur nëse ka gjë tjetër mbrapa saj apo është vetëm ajo dhe asgjë tjetër, do të pyetet me zë të lartë: “Po ne, hyjmë apo dalim? … (nuk përgjigjet kush, as porta e mbyllur, që rri kot atje).
    Pastaj do të bëhemi gati për të ikur përsëri, këtë herë pa një drejtim të caktuar (por ç’rëndësi ka një busull tokësore në mes të universit) dhe me radhët më të shtrënguara. Shikimi ynë do të zhvendoset nga kurrizi i radhëparit te drita më e zbehtë që mund të shohin sytë tanë, tashmë të mësuar vetëm me ngjyra të shumta. Do të flakim syzet, kompjuterat, rezervat ushqimore, furçat e dhëmbëve dhe presidentët, pastaj do të përgatitemi të gëlltitim galaktikat dhe vrimat e zeza, pa i përtypur për t’i lehtësuar punën stomakut tonë (univers më vete). Pasi të kemi ngrënë të gjithë universin do të hamë njëri-tjetrin, dhe, do të ngelemi vetëm me jashtëqitjen tonë, ballëpërballë.


 

Njerëz

    …një tingull i shtrirë kudo, që vjen nga një vrimë e zezë mbi kokat e njerëzve, ë cilët e shohin të frikësuar. Uri e madhe për siguri. Vetmi e mbështjellë nga paranoja. Më në fund, Skizofrenia endet lirshëm. Vrima e zezë qëndron sikur edhe vetë nuk di ç’të bëjë. Dikush beson se kur tingulli të mos dëgjohet më ajo do të zhduket. Pëpiqen ta rrethojnë tingullin me zbrazëtirë dhe ai zhduket dalngadalë në ajrin e heshtur, por vrima është atje. Kur hesht është më e frikshme se kurrë. Heshtja mbivlerësohet. Diku bëhet një marrëveshje viktimash. Faji i mendimit. Për një çast vihet në dyshim rrëmuja njerëzore, e justifikuar nga dhimbja dhe dëshpërimi, por qëllimi është të gabohet, duke fajësuar mospërputhjet. Vrima e zezë nuk ngjall më frikë, por neveri. Duket si një pjesë e tepërt, e flakur në skutat e kujtesës. Halucinacion i pavarur nga agonia. Vendimi është larg. Ai do të shpallë shanset e mashtrimit. Një iluzion i fundit, që përforcon shqetësimin për kumtet e neveritshme të së ardhmes. Por të gjitha këto nuk durohen, sidomos qëllimi i fundit. Dyshim pa fund, i mbyllur përmes labirintesh nënvlerësimi, piramidë ndjenjash, fytyrë e askujt…


 

Kafka

    Nuk më zinte gjumi. U ngrita nga shtrati, u vesha shpejt dhe dola jashtë. Ishte natë vere. Një parandjenjë e keqe nuk më linte të ecja pa menduar asgjë e të thithja ajrin e pastër të vendlindjes. Mbërrita në një lëndinë të vogël dhe hodha vështrimin rreth e rrotull, duke kërkuar diçka që as vetë nuk e dija. Nga të gjitha anët e sheshit dilnin disa rrugë të ngushta, të cilat po i mbyllte përsëri bari, mbase nuk kalonte njeri prej kohësh. Ngrita kokën drejt hënës dhe ia ngula sytë në mënyrë dyshuese. Ajo dukej sikur mendohej, ose më mirë pendohej për diçka që kishte bërë shumë kohë më parë. Mbase vetëm shtirej: është shumë e djallëzuar dhe e pabesë. Vështrova kodrat e zeza rrotull meje dhe pata dëshirë të dilja për gjah. Më hipi një dëshirë e papërmbajtshme për të prishur qetësinë e mesnatës me klithmat e ndonjë ujku të përgjumur. U futa drejt një shtegu dhe mora rrugën i shkujdesur. Duke ecur, u pengova në diçka të fortë dhe u shtriva përtokë sa gjerë gjatë. Goja m’u mbush me pluhur e fije bari të thatë. Kërceva në këmbë: një kafkë e bardhë, që ndriste në dritën e hënës, më vështronte me zgavrat e syve, sikur donte të më thoshte: “Nuk kam faj unë!Ti nuk e ke mendjen!” Ia ngula sytë gjithë inat, mora vrull duke bërë mbrapa, dhe e godita fort me shkelm, duke e flakur tutje. Ajo vringëlliu në ajër, derisa puthi tokën, duke lëshuar një si rënkim. Menjëherë ndieva keqardhje dhe u sula andej nga erdhi ofshama, që ta gjeja e t’i kërkoja falje. E kisha degdisur mes ferrave. E mora në dorë dhe, duke i kërkuar falje, dolëm së bashku në lëndinë. E vendosa në tokë, ndërsa vetë u ula këmbëkryq para saj. Ajo më vështronte si e zënë në faj.

-         Të prezantohemi, – e theva akullin i pari - si të quajnë?

-         Kafkë... – m’u përgjigj me gjysmë zëri, dukej që vazhdonte të kishte frikë.

-         Ndërsa mua, zotëri! Mund të më thuash, të lutem, çfarë bëje natën, vetëm, në këto anë? – buzëqesha unë, për ta bërë të ndihej më e lirshme dhe për t’i dhënë të kuptonte se nuk kisha qëllime të këqija.

-         Po, ja, unë, udhëtoja...

-         Mos ji e ndrojtur me mua, qëparë isha pak i nxehur, megjithëse fajin e kisha vetë, por nuk mund të të shihja, se ti je shumë e vogël para meje. Sikur pjesët e tjera të trupit të të rrinin të ngjitura nga pas, për shembull: duart, këmbët, brinjët, etj., do të ishe në lartësinë time, kështu që nuk do të kishte ndodhur asgjë, thjesht do t’i hapnim rrugën njëri-tjetrit duke u përshëndetur dhe kaq. Megjithatë, më fal!

    Asaj iu bë qejfi dhe, sikur të ishte çliruar nga një barrë e rëndë, lëvizi pak, derisa zuri vend mirë dhe m’u drejtua me një zë të shkujdesur:

-         Edhe unë kisha pakëz faj. Duhej të të kisha hapur rrugën, se ti je ende gjallë!

-         Po të isha unë në vendin tënd, nuk do ta bëja: t’i hapja rrugë një tjetri. Të tjerët duhet të më hapin rrugë mua! – nxorra unë gjoksin para dhe ngrita zërin.

-         Ah, jo! Ke për ta provuar dhe do të zhgënjehesh. Ja, shikomë mua…më mirë po të tregoj historinë time.

    Unë vura dorën te mjekra dhe ngrysa vetullat, duke ngulur sytë te zgavrat boshe që më vështronin gjithë mirësjellje.

-         Tani nuk më kujtohet mirë se çfarë bëja kur isha me flokë, veshë, sy, brinjë, etj., pra, kur isha gjallë, se ka kaluar shumë kohë që atëherë. Mbaj mend vetëm që, shumë kohë pasi kisha vdekur, hapën kapakun e arkivolit ku më kishin varrosur dhe vura re disa fytyra të egra që më vështronin gjithë lakmi. Futën duart brenda dhe morën sendet prej floriri, që ishin ngjitur lehtë pas kockave të trupit tim. Pastaj më futën një shkelm, ashtu si bëre ti pak më parë, mos u fyej, dhe më rrokullisën anash një rruge të shkretë, ku shumë rrallë kalonte ndonjë qen i zgjebosur, që më lëpinte mirë e mirë dhe pastaj ikte, duke më lënë si kujtim ndonjë plesht të poshtër, që kërcente mbi tullën time si i çmendur, pasi nuk kisha flokë ku të mbahej. Një ditë të nxehtë vere, po kalonin disa gjykatës të veshur me rroba të zeza e me paruke të bardha në kokë. Nga mbrapa i ndiqte kokëulur një njeri i lidhur me litar. Ata i tregonin me gisht nga mua duke qeshur me të madhe. Njeriu më vështroi ngultas, pastaj filloi të qeshte edhe vetë. U shkëput me forcë nga duart e tyre dhe vrapoi drejt meje. Më goditi fort me shkelm, ashtu si ty, ndërsa ata shtangën. Të mrekulluar, filluan të bënin të gjithë të njëjtën gjë me mua, derisa më në fund ulëritën me të madhe të gëzuar, duke thënë se kishin shpikur një lojë të re. Unë isha mërzitur nga rrokullisjet e shumta, që kisha bërë pa nisur ende mirë jetën time të re, nga e cila prisja më shumë respekt. Më në fund, u ndala në një rrugë tjetër, e cila dukej si më e zhurmshme se e para. Kalonin njerëz, qen, mace, gomerë e shumë kafshë të tjera. Në të vërtetë, nuk ma varte ndonjëri nga ta, madje as sytë nuk m’i hidhnin, dhe kjo më dëshpëronte shumë. Për ca kohë u bëra streha e një karkaleci shpirtlig, që hynte gjithmonë me vështirësi nga zgavra e majtë e syrit, e cila ishte edhe më e ngushtë. Më bezdiste shumë me zhurmën e tij të neveritshme, që bënte kur hante. Për fat të mirë, iku shpejt, mbase u mërzit nga mua, ngaqë nuk ia varja fare. Mendova të dilja njëherë në mes të rrugës, por kur pashë disa njerëz që po shkelmonin një kafkë tjetër të dërrmuar, duke ia pasuar njëri-tjetrit, ndërrova mendje.

Një ditë binte shi. Dëgjova disa tinguj violine, që përziheshin me hapat e njerëzve në baltë. Tingujt sa vinin e forcoheshin. Papritur ndalën pranë meje. U afrua një njeri dhe më mori në dorë duke buzëqeshur. Më rrotulloi derisa zgavrat syve të mi filluan të shikonin qiellin, kurse vetë filloi t’i binte përsëri violinës. Ishte një muzikë e trishtuar e stonuese, që më bënte për të vjellë. Papritur, nga zgavrat e syve filluan të më hynin monedha të hekurta, që lëshonin një tringëllimë të lehtë brenda meje. Vetëm pasi hapësira ime u mbush plot, megjithëse nuk mund të them se ishte shumë e madhe, violinisti numëroi monedhat dhe mbeti i kënaqur. Shkonim bashkë në vende të ndryshme dhe fitonim shumë, pavarësisht se ai luante shumë keq, madje një ditë violina e tij m’u ankua, duke më thënë se do të vdiste nga torturat e tij. Njerëzit e dëgjonin artistin paksa të hutuar, me sytë e ngulur tek unë. Papritur, një ditë të ftohtë, muzikanti u vesh me një kostum shumë të bukur dhe më futi një shkelm të fortë. Unë përfundova duke u rrokullisur drejt gropës së ujërave të zeza. U betova se nuk do të takoja kurrë më një muzikant.

Mbi mua rridhte ujë i zi dhe luanin vetëm minj të sëmurë. Udhëtimi im vazhdoi në një kanal të gjatë, derisa u kapa te një rrënjë peme dhe dola jashtë, në një rrugë tjetër. Mbaja pak erë të keqe, por e dija që do të më ikte me kalimin e kohës, bashkë me ngjyrën.

    Unë po e dëgjoja kafkën me vëmendje dhe ajo vazhdonte të më tregonte me shumë pasion.

-         Pra, si të thashë, u gjenda në atë rrugën tjetër, por, për fat të keq, përmbys dhe nuk mund të shihja gjë. Dëgjoja vetëm të qara e ulërima që të këputnin shpirtin dhe hapa të ngadalshëm monotonë, gjë që më kujtonte diçka e më bënte të mallëngjehesha. Çfarë po bën kështu!? – m’u drejtua kafka mua, duke më vështruar me qortim.

    Më ishte varur koka mbi gjoks dhe po dremitja.

-         Më fal, më fal, nuk do të ndodhë më! – i thashë seriozisht. Drejtova kurrizin dhe u bëra gati për dëgjim. Kafka buzëqeshi e kënaqur dhe vazhdoi.

-         Një natë, m’u afrua dikush dhe, pasi më mori në dorë, më pështyu e më bërtiti fort: - Dashke të ikësh, ëëë? Po nuk ikën dot që këtu! Ai u drejtua nga një varrezë aty pranë dhe u afrua te një arkivol gjysmë i hapur, të cilin e njoha menjëherë, pasi kishte qenë banesa ime për shumë vjet. Që atje kisha marrë rrokullimën time të parë. Menjëherë u preva në fytyrë kur mendova se do të qëndroja atje në errësirë gjithë kohën, gjersa të vinte ndonjë rrokullisës tjetër. Po sikur të mos vinte asnjëherë ndonjë i tillë? Jo, nuk doja të rrija atje. Kafshova me të gjitha fuqitë duart e pista të atij, që po mbyllte kapakun e arkivolit dhe fillova të rrotullohesha vetë nëpër kodërzat e vogla të dheut, nga të cilat dukej sikur dilnin disa zëra të dobët: - Jepi, edhe pak, ik, shpëto! Më në fund, dola në anë të rrugës. Dëgjoheshin ende thirrjet e atij njeriut duarpërlyer me baltë të ftohtë, tashmë me ndonjë gisht mangët. Do të më merrte pakëz malli për pjesët e tjera të trupit, por nuk është gjë e madhe. Mjaftonte që kisha fituar përsëri lirinë dhe, më mirë akoma: të lëvizja vetë, qoftë duke u rrotulluar, qoftë duke u zvarritur. Këtë të fundit e mësova nga dikush. Një mëngjez, kur po agonte, u ndodha rastësisht në rrugën ku më rrokullisën për herë të parë. Nga larg, pashë gjykatësit hijerëndë që po afroheshin. Kur më vunë re, zgurdulluan sytë e skuqur nga pagjumësia dhe, duke flakur librat e tyre në ajër, u shpërndanë nga të katër anët të tmerruar e duke vrapuar si të çmendur. Vetëm një njeri, i lidhur duar e këmbë me litar, më vështrointe i dëshpëruar, duke qëndruar pa lëvizur nga vendi. Papritur filloi të qante me të madhe e të jargavitej. Pastaj u shtri përtokë pranë meje dhe filloi të përpëlitej duke u zvarritur rreth e rrotull meje, derisa fytyra e ngërdheshur nuk i lëshonte më lot e nuk lëvizi. U gëzova, pasi për pak kohë do të kisha një mik si vetja dhe mund të argëtoheshim së bashku, duke i mësuar zvarritjen që sapo më mësoi, por që pas aq kohësh mund edhe ta harronte, apo jo...

-         Po pastaj, çfarë ndodhi? – e pyeta kafkën, që m’u duk e trishtuar.

-         Shkonim shumë mirë bashkë, por dy kafka bien shumë në sy. Atë e kapën, se nuk ishte e vëmendshme kur unë e mësoja sesi të zvarritej, kështu që ngeli atje, ndërsa unë ia mbatha. Vazhdoj udhëtimin tim nëpër botë dhe, ja, tani të takova ty e të tregova historinë time.

    Ndjeva keqardhje dhe fillova ta ledhatoja me dorë kafkën tullace, që ndriste në dritën e hënës. Ra një qetësi, që na futi të dyve në mendime. Unë e theva heshtjen i pari:

-         Po ti, rrokullisesh vetëm kur je në majë të atyre kodërzave të vogla? – e pyeta.

-         Jo, edhe kur ndonjë i pavëmendshëm më godet me shkelm, me dashje ose jo! Megjithatë, do të vijë edhe dita ime, kur ëndrra të më bëhet e vërtetë…

-         Cila ëndërr?

-         Unë kam shumë frikë nga kuriozët, të lutem, ti më mirë shtiru sikur nuk të intereson shumë, se unë përgjigjem vetë, edhe pa më pyetur!

    Hodha sytë rrotull, sikur nuk më interesonte gjë, dhe fillova të fishkëlleja, sepse nuk doja që të mendonte se isha nga ata që futin hundët në punët e të tjerëve, por nuk durova dot dhe iu hodha në grykë:

-         Hë, pra, do të ma thuash apo jo?

-         Ti nuk mund ta kuptosh dot ëndrrën time, megjithatë, po ta them: Unë dua të mësoj të eci, madje edhe të vrapoj, që t’ua kaloj njerëzve e t’i lë mbrapa kur të përpiqen të më kapin. Por më duhen edhe krahë, këmbë, brinjë, etj., ti e kupton, apo jo? Megjithatë, unë do të mësoj shumë shpejt, më shpejt se ai budallai që dha shpirt pranë meje e më mësoi zvarritjen, e cila nuk më mjafton, pasi ashtu bëjnë vetëm njerëzit…

    Filloi të më vështronte nga koka te këmbët, gati për të më pyetur apo kërkuar diçka, por unë, paksa i frikësuar, drejtova menjëherë gishtin drejtues nga një kortezh i përmotshëm, që po drejtohej nga varrezat. M’u duk sikur kafka buzëqeshi dhe, sapo u bë gati të më thoshte diçka, mbase edhe të më falënderonte, u dëgjua një këmbanë. Ktheva kokën andej nga kishte filluar ceremonia e varrimit. Hodha përsëri sytë nga kafka, por ajo ishte zhdukur. U ngrita nxitimthi dhe shkunda nga supet dritën e dobët e bezdisëse të hënës, pastaj vështrova edhe një herë njerëzit në varreza. Ata ecnin e lëviznin shumë ngadalë, dukej sikur zvarriteshin.

    Ndonjë natë tjetër, do të dal përsëri shëtitje nëpër ato shtigje, mbase takoj përsëri kafkën, të më tregojë aventurat e saj të reja dhe, përse jo, të mësoj diçka më shumë: sesi t’i lë mbrapa njerëzit kur ata të përpiqen të më kapin duke u zvarritur.

 

 

Trajtë 

I fundit gabim i madh. Jo më nxitimthi. Një e nga një, të gjitha, nga të gjitha anët, me kureshtje të frikshme. Hollësitë nguliten në tru, ngjiten, mbeten, saldohen. Sytë duan të kapin vetëm të zi. Kudo që shkelet vetëm rrëshqitet.

- Mbahesh dot? Ha-ha-ha! Jo? Jam këtu! Do të të mbyt në të zi!

Çdo gjë rrëshqet nga duart e bie, por nuk thyhet, asgjë nuk thyhet, vetëm shformohet e lodron, pastaj rrëshqet e vetëm rrëshqet. Mbërrin nëpër pellgje, te zhabat. Ato shohin me inat.

- Tani nuk na bën dot asgjë! Ik! Zhdukuuu!

Dhe vazhdon rrëshqitja e madhe. Gabimet ndjekin njëri-tjetrin. Mos! Zhurma e këmbëve nëpër baltë! Erdhi përsëri! Ku të fshihem? Asnjë vend i fshehtë. Më mirë në baltë. Mbuluar me baltë, duart, këmbët, trupin, flokët. Balta hyn në sy, hundë, veshë, gojë. Tani shkon poshtë, pushton stomakun…Ku?

- Nuk iki, jo! Jam këtu! Do të të vras!

(Sa mirë!)

- Jooo! Nuk të vras! Do të të ha të gjallë, por jo tani, pastaj!

- Krrau-krriu! Kuak-kuak!

- Të kaaapaaaaaa! Po tani, ku do të shkosh? Të thashë që do të të ha? Ik edhe një herë! Po të kapa përsëri nuk të lëshoj më! Ik tani, rrëshqit!

- Ding-dong? Ding-dong!

Ja edhe  patrulla, vazhdon saldimi.

 

Gjithmonë zgjuar

 

    Hëna duket si vrimëhyrja apo vrimëdalja e një stomaku bosh e të ftohtë, të cilit i ngjan nata. Unë qëndroj në këmbë pa lëvizur. Jam një roje nate, megjithëse në këtë orë s’ka hajdutë dhe gjë për të vjedhur. As njerëz nuk ka: kur flenë pothuajse nuk janë, nuk bëjnë asgjë, përveçse harxhojnë oksigjen.

   Marr frymë dhe ngul vështrimin drejt. Ndihem vetëm e i madh. Ndërtesat dhe pemët duken si mortarë pendestarë të patretshëm, të cilët më vijnë korthi të përgjumur nga dridhnaja ime e padukshme. Avujt që më dalin nga goja formojnë për një çast kukudhë të frymëzuar, që përfundojnë duke u zhabaritur nëpër pellgore. Drejtoj kurrizin e krrusur pavetëdijshëm dhe shtrëngoj dhëmbët, duke përgatitur qëndrimin që do të mbaj nesër në mëngjez ndaj këshillës, ose më mirë ndaj urdhërit, të eprorit tim për të mbajtur një armë. Nxjerr nga xhepi një plumb, të vetmin, dhe e fut në gojë. E kapërdij pa ndihmën e ndonjë gllënjke uji apo goditjeje mbrapa kurrizit.

   Ata duan të më pushojnë nga puna: kanë shpikur disa makina të vogla që i quajnë sisteme alarmi. Duken më të qetë nga dita që i shpikën, pavarësisht se nuk i kanë vënë ende në punë. Më hedhin vështrime mospërfillëse dhe nënvlerësuese; këtë e ndiej, se nuk i shoh, pasi u kthej gjithmonë kurrizin. Regëtimet e çdo mëngjezi më kujtojnë se disa çaste më vonë mund të shoh të shkruar në letër urdhërin e largimit tim nga puna. Por nuk shqetësohem shumë. Kohë pasi të jem larguar, ata do të ndjejnë mungesën dhe shqetësimin për dikë që të rrijë zgjuar, pavarësisht makinave paralajmëruese. Do t’u prishet gjumi shpesh dhe në fytyrat e tyre të qeta do të fillojnë të ngurtësohen vetullat dhe muskujt e nofullave. Do të më kërkojnë gjithandej, sapo të zgjohen nga gjumi, por nuk do të më gjejnë dot kurrë, pasi unë dal vetëm natën, i qetë se ata do të më kërkojnë vetëm ditën, kur kujtojnë se gjërat duken më mirë. Mjafton nevoja e tyre për mua, kërkimi, që ata të flenë me një sy hapur e të frikësuar, dhe unë pothuajse e kam kryer detyrën time, duke i bërë vigjilentë. Edhe po të mos u kem hapur sytë, të paktën njërin po. Përveç syve të mi, në errësirë do të ngulen edhe shumë sy të tjerë.

   Atë që parandjeva si natë të fundit, pashë dikë që vraponte drejt meje. Vinte nga një rrugicë e pandriçuar. Sapo më vuri re u ndal. E vështrova duke shprehur habi. Merrte frymë thellë. U ul këmbëkryq përtokë dhe i nguli sytë andej nga erdhi. U mat të më thoshte diçka, por nuk mundi se iu mor goja nga frika. Dukej i tmerruar. Vështroi njëherë andej, pastaj nga mua dhe, duke iu dridhur mjekra, u bë gati të qante. I bëra shenjë me pëllëmbët e duarve se çfarë donte nga mua, por ai ngriti supet dhe vazhdoi të bënte lëvizje, të cilat i lë pas vetëm një makth ose frikë e tmerrshme. Menjëherë u ngrit në këmbë, fshiu jargët me mëngë, thithi fort hundët dhe pështyu përtokë. Pasi mori pamje serioze, hodhi edhe një herë sytë nga rrugica e errët e u largua me hap të ngadaltë të pasigurt. Më përshëndeti me dorë, por u kthye menjëherë dhe, duke u rrëzuar e ngritur prapë, filloi të qante me ngashërim, e më zgjati duart, sikur të isha unë ai që do të mund t’i jepja çdo gjë që do të kërkonte. E kuptova që nuk shtirej dhe, për ta hequr qafe, u mundova t’i mbushja mendjen që kishte parë ndonjë ëndërr të keqe. Ai vazhdonte të qante. Fshiu lotët dhe më tha se donte këmbët dhe duart e tij: këmbëngulte se kishte jo dy duar e dy këmbë, por katër. Iu përgjigja se nuk kishte mundësi, se njeriu ka vetëm dy duar e dy këmbë, duke ia demonstruar edhe me gjymtyrët e mia dhe se nuk kisha parë ndonjëherë njerëz të tillë. Ai m’i nguli sytë si një nxënës i vëmendshëm, por dyshues. U hodh në gjoksin tim, si për tu strukur, dhe pëshpëriti ngadalë: “M’i vodhën kur po flija, por ti mos i trego askujt, se ata që m’i vodhën nuk e dinë që janë krahët e këmbët e mia!” Pushoi së qari dhe murmuriti diçka që m’u duk se ia tha më shumë vetes: “Mua do të më rriten të tjera, më të mira se të parat, por pastaj do të rri gjithmonë zgjuar!” Më vështroi nga koka te këmbët, buzëqeshi dhe iku me nxitim, duke parë sa majtas djathtas. Nga mënyra sesi tundi kokën, dukej sikur sapo kishte ndërtuar një plan, për të cilin ishte i sigurt se do ta nxirrte fitimtar.

    Drita e diellit shpërtheu dhunshëm që mbrapa pemëve dhe në dorën time përfundoi si gjethe e kalbur vjeshte urdhëri për pushimin tim nga puna, i shkruar me një stil tmerrësisht sarkazmistik dhe arsye apokaliptike. Ikjen e menjëhershme e ndërmora drejt një shtegu jo të përditshëm. Pasi eca pak kokëulur, jo nga mërzia, por nga pasiguria për të ndeshur ndonjë gropë në një rrugë të panjohur, sytë më kapën një njeri të shtrirë poshtë një peme. Iu afrova dhe u bëra gati ta pyesja a më mbante mend: ishte ai që këmbëngulte se ishte shumëgjymtyrësh. Dukej si i flakur, ishte syhapur dhe kishte vdekur. Kurioz, fillova t’i kontrolloja brinjët, atje ku thoshte se kishte duart e tjera. Shtanga kur vura re se atje ishin shkulur dhunshëm gjymtyrë, madje nga njëra anë kishte mbetur një gjysmë shpatulle. Në ijë vura re dy gropa të mëdha të kuqe me fije mishi të çjerrë. Te njëra prej tyre dukeshin disa gishta të vegjël këmbe, që, me sa dukej, ishin fillimi i këmbës së re.

 

Zemra

Kohët e fundit nuk ndihesha mirë. Diçka më mundonte përbrenda, sidomos gjatë gjumit. Më dukej sikur lëvizte edhe nëpër krevat, kur flija. Shikoja ëndrra të çuditshme. Një natë, ëndërrova atë gjënë me sy e veshë dhe në mëngjes, sapo u zgjova, volla Tokën. E njoha menjëherë tek fluturonte drejt vrimës së zezë në banjë. Pasi u rrotullua disa herë atje, rryma e ujit e mori me vete. U çlirova dhe mora frymë thellë, duke çliruar djersë të ftohta. Mendova se nuk do të më ndodhnin më gjëra të tilla dhe e hoqa nga mendja, por s’kaloi shumë dhe filloi të më përzihej përbrenda. Vrapova drejt banjës me dorën te goja. Sytë më lotuan dhe dukej sikur zorrët nuk i kisha brenda barkut. Turbull, pashë dikë në miniaturë, që më doli nga goja, dhe, duke u fshehur nëpër të vjellat e mia, u përpoq të hidhej në vrimën e zezë. U tregova më i shkathët dhe e kapa në ajër. Filloi të përpëlitej për të shpëtuar, por e shtrëngova aq fort sa për pak i mora frymën. Ishte aq i vogël, sa e mbaja me një dorë. Më vështroi hetueshëm nga koka te këmbët. Ngrita dorën tjetër për ta goditur, por ai mbuloi fytyrën me duar:

- Më fal, më fal!- tha me të shpejtë.

- Kush je ti?- e pyeta i xhindosur.

Nuk m’u përgjigj. Ngrita përsëri dorën ta godisja, por ai belbëzoi pa i hequr duart nga fytyra: “Mbikqyrës!...” Papritur, filluan të më binin djersë të ftohta dhe gjithçka të rrotullohej marramendthi. Vura dorën atje ku duhej të ishte zemra, por nuk ia dëgjova rrahjet.

- Po zemrën, ku e kam zemrën?! - e pyeta i shqetësuar dhe kërcënueshëm njëherësh.

Ai ngriti supet dhe vuri duart në fytyrë, megjithëse unë s’isha bërë gati ta godisja. Dukej që gënjente. E pështyta me neveri. Pickova veten, por nuk ndjeva gjë. Përbrenda isha i ftohtë akull. Sapo mbikqyrësi hapi gojën për të thënë diçka e ngjita me grusht pas murit, si insekt. Ngordhi. Fillova të ecja i shqetësuar nëpër shtëpi. Kushedi edhe sa organe të tjera më ishin shkëputur nga trupi kur kisha vjellë! Duhej të gjeja zemrën me çdo kusht. Shpresoja të ishte ende nëpër tubat e ujrave të zeza, se po të kishte përfunduar në gropën e madhe të qytetit, atje s’mund ta gjeja dot kurrë. Mbylla sytë, mbajta frymën dhe u zhyta poshtë në vrimën e vogël të zezë. Rrëshqita me shpejtësi nëpër tubat e zinj e të ngushtë. Larg, pashë një dritë të vogël. Ishte fundi i tubit. Kur u afrova vura re zemrën time që kishte mbetur atje, duke vazhduar rrahjet si zakonisht. Zgjata dorën ngadalë, por një valë e pistë uji e mori me vete dhe zemra ime përfundoi në gropën e madhe të gjërave më të ndyra të qytetit. Nxorra kokën jashtë për ta parë, por ishte zhdukur. U ktheva mbrapsht dhe dola përsëri në shtëpinë time. Nuk e dija ç’të bëja, por më duhej zemra, patjetër. Po të futesha ta kërkoja në atë gropë, edhe sikur ta gjeja, do të humbja pëgjithmonë, bashkë me të. Vendosa të duroj edhe pa zemër, do bëj si do bëj, por, nëqoftëse diçka nuk do të shkojë mirë, do të hidhem në vrimën e zezë për ta gjetur. Tani për tani jam mirë.

 

Kufoma

    Po shëtisja pranë një kanali me ujë të ndenjur. Ishte aq i gjatë, sa nuk i dukej fundi. Pisllëku i tij rrinte pa lëvizur, si i ngrirë. Mendova të kaloja nga ana tjetër dhe mora vrull duke bërë mbrapa e duke rritur shpejtësinë në anë të tij, por në çastin e fundit u ndala nga një erë kërrme që më shpoi hundët. Kapa gojën dhe hundët me duar dhe shqeva sytë për të gjetur nga vinte kutërbimi. Në ujin e kanalit pluskonte përmbys një kufomë njeriu, në kurrizin e të cilit gëlonin krimba. Mbase ishte mbytur duke u përpjekur të kalonte nga ana tjetër. U afrova për ta parë më mirë. Zgjata dorën dhe e kapa nga duart, duke e tërhequr nga vetja. M’u duk sikur era e tij filloi të më ngjitej nëpër trup. Mendova ta nxirrja në tokë, për ta kqyrur ngeshëm, mbase ishte ndokush që mund ta njihja. E tërhoqa fort, por ndodhi e kundërta: ishte aq i rëndë sa më mori me vete. Humba drejtpeshimin dhe mbajta frymën derisa u përplasa me sipërfaqen e pistë, duke shpresuar që të ishte e ngurtë. Ndjeva këmbët që m’u zhytën, pastaj gjunjët, barku, duart, fytyra. U gjenda në mes të ujit duke u përpëlitur. Zgjata dorën drejt kufomës për ndihmë, ashtu si do të bënte ajo po të ishte gjallë, por heshti. Uji i pistë më përpiu shpejt. Vdiqa ngadalë, duke vuajtur. Dhe ja, tani jam një kufomë pluskuese në ujin e ndenjur, nga i cili u mundova të nxirrja një tjetër kufomë. Ndonjëherë, koka e tij krimbore tundet ngadalë, sikur kërkon të shfajësohet, por unë nuk i flas me gojë, madje kurrë nuk do t’i them një fjalë, për t’i dhënë të kuptojë se nuk kam nevojë për ndihmë. Mbase ndonjë ditë të bukur, ndokush do të dalë për shëtitje këtej, do të më shohë dhe do të përpiqet të më nxjerrë në breg për të parë kush jam. Unë pres.

 

Lakuriq

    Një ditë bisedoja në rrugë me një të njohurin tim për disa probleme që kishin të bënin me shtetin dhe kombin tonë. Ai kundërshtonte çdo gjë që unë thoja, madje, edhe kur unë i pranova fjalët e tij si të vërteta, sepse më bezdisi për vdekje, ai u hodh përpjetë dhe vazhdoi të më kundërshtonte i nxehur. U skuq dhe, duke llomotitur papushim, më lagu në fytyrë me stërkalat e pështymës së tij. Fshiva faqen me dorë dhe vërejta pëllëmbën: nuk ishte pështymë, por gjak me erë të keqe. I ngula sytë gojës së tij, por ai e mbylli, duke shtrënguar dorën nxitimthi mbi të. Mbase kishte ndonjë dhëmb të prishur ose diçka tjetër. Papritur, më zuri një kollë aq e fortë, sa m’u mor fryma. U përkula dhe m’u mbushën sytë me lot. Ai më fërkonte kurrizin dhe thërriste për ndihmë njerëzit përqark. Unë u drejtova duke e vështruar i çuditur: nuk ishte aspak e nevojshme, por s’mund të flisja. Diçka më kishte bllokuar gjuhën, e cila më krijonte ndjesinë e një amfibi të ngordhur në gojë. Njerëzit, me një gatishmëri të çuditshme, më kapën, më ngritën hopthi në krahë dhe u sulën drejt spitalit si të ishin garues të çmendur. Unë bëja shenjë me këmbë e me duar që të ndalonin, por ishte e kotë. Isha në ajër, mbi duar e tyre, dhe fluturova drejt një porte të shtrembër të bardhë, e cila m’u përplas fort në ballë, duke më bërë të humbja ndjenjat. Kur u përmenda gjendesha i shtrirë në një shtrat të mbuluar me gjak, pa rroba në trup dhe rreth e rrotull dëgjoja ankime, rënkime e zhurma të pakëndshme. U hodha përpjetë nga krevati dhe fillova të kontrolloja me dorë trupin tim lakuriq. Mora frymë thellë dhe vrapova drejt një korridori, në fund të të cilit duhej të ishte dalja. Isha i gëzuar që ai gjak nuk ishte imi. Duke vrapuar, ktheva kokën mbrapa dhe, për një çast, pashë skena të çuditshme: njerëz me këmbët lidhur në tavan, që jashtëqitnin nga sqetullat dhe ca të tjerë me sy në bythë e hundë në qafë. Nuk m’u duk se ishin shumë të pakënaqur, sepse po argëtoheshin me njëri-tjetrin. Dola nga spitali dhe u gjenda në një lëndinë të bukur, në mes të së cilës ishte një grup infermieresh seksi që bisedonin qetësisht. Para këmbëve pashë një libër me figura, të cilin e mora dhe u mbulova përpara. Ato, sapo më panë, u sulën drejt meje duke u çjerrë e ulëritur. Doja të ulërija edhe unë, por nuk më dilte pikë zëri, nuk mundesha. Ia dhashë vrapit, madje aq shpejt, sa i shikoja tek zvogëloheshin prapa meje, derisa u zhdukën. Provova përsëri të ulërija dhe u shtrëngova vërtet shumë, aq sa pordha tmerrësisht zhurmshëm, por zë nuk më doli. Ndalova nën një pemë dhe me fletët e librit sajova një palë brekë të lezetshme. Isha në dalje të qytetit. Më duhej të shkoja në shtëpi e të vishesha, por e kisha shumë larg. Sytë më zunë një gomar, që ngjante paksa i mërzitur. Iu afrova dhe fillova t’i përkëdhelja veshët e gjatë. Ai sulmoi brekët e mia dhe, pasi m’i zhvati nga trupi, filloi t’i përtypte me kënaqësi të dukshme. Nuk dukej më i mërzitur, si më parë. Shkula përsëri disa fletë nga libri dhe brekët i bëra më të gjata. I hipa gomarit, duke marrë rrugën e shtëpisë. Librin e mora me vete, për të ushqyer gomarin rrugës, që të mos m’i hante përsëri më brekët prej letre, figurat e të cilave më ishin ngjitur nëpër organet gjenitale. Ai, sikur ta dinte ku banoja, po ndiqte të njëjtën rrugë që kisha ndërmend vetë. Kur mbërrita pranë shtëpisë i zbrita gomarit për t’u futur brenda. Ai më vështroi në një mënyrë që s’di ta shpjegoj dhe zgjati veshët drejt meje. Pastaj pëlliti një herë fort dhe m’i zhvati përsëri brekët nga trupi. Filloi të përtypej, por pa m’i shqitur sytë gjysmë të mbyllur nga kënaqësia. Më pëlqeu ai gomar dhe vendosa ta mbaja në shtëpi. Pse jo; të gjithë njerëzit mbajnë kafshë nga më të ndryshmet: majmunë, qen, mace, milingona, minj, breshka, zhaba, lloj e soj kafshësh. Madje, unë kam njohur dikë që rriste një ujk, i cili i hëngri të shoqen dhe ai përsëri vazhdonte ta mbante, derisa e hëngri edhe atë vetë. Përse të mos e mbaja! Edhe ai do të më mbante në kurriz sa herë të doja unë, për punë ose për qejf dhe, me sa di, gomerët nuk hanë mish njeriu, megjithëse njerëzit e bëjnë! E kapa nga veshët dhe të dy filluam të ngjitnim shkallët e pallatit tim një e nga një.

 

Shorti

Atë ditë isha aq i lodhur sa nuk po më durohej të shkoja në shtëpi për t’u shtriqur në shtratin tim. Kur mbërrita te porta, nxorra çelësin nga xhepi dhe hapa derën, e cila u mbyll prapa meje duke formuar errësirë të plotë. Më ngriu gjaku nga diçka që shkela me këmbë. Mendova se duhej të ishte ndonjë kafshë e vogël klandestine, meqë dëgjova një thyerje të lehtë kockash imcake. Në çastin kur nga thellësia e errësirës së korridorit tim të ngushtë m’u ngulën dy sy të kuq, shpërtheu një lëng djegës me erë të keqe, i cili më sulmoi fytyrën dhe sytë. Qorrazi, u mundova të dilja jashtë, por ngela atje, pasi dera nuk u hap më. Në panik, fillova të hiqja nga fytyra atë lëngun dhe ndeza dritën. Hapa sytë, në fillim shikoja turbull, por pastaj më qartë. Kontrollova hollësisht shtëpinë, por nuk gjeta asgjë. Isha në ankth, prandaj mendova të ikja jashtë, derisa të qetësohesha nga ai sulm i çuditshëm, pastaj të kthehesha brenda i armatosur. Sapo u gjenda nëpër shkallët e pallatit ngela pa frymë: ato ishin bërë me krahë, madje shumë të gjatë. I shkela të gjitha me radhë, duke vrapuar, por ato më kapën nga këmbët dhe më rrëzuan përtokë. Duart e tyre, si tentakula të ftohta, filluan të më futeshin nën rroba, nëpër gjithë trupin. Pasi munda t’u shpëtoj u gjenda në mes të rrugës, ku tmerri e paniku m’u dyfishuan: të gjithë njerëzit ishin ndryshe. Shumica e tyre ishin skeletë të pastruar mirë prej kohës, kurse të tjerët me copa mishi të kalbur e damarë të kuqërremtë, që u vareshin brinjëve. Nxitonin dhe përplaseshin me njëri-tjetrin, duke bërë një zhurmë që më kallte krupë. Nëpër duar mbanin buqeta lulesh shumëngjyrëshe, petalet e të cilave i hidhnin mbi njëri-tjetrin duke qeshur, madje duke lëshuar një kërcëllimë hakmarrëse. Ndoshta kishin ndonjë festë. Papritur, njëri prej tyre më pështyu në fytyrë, dhe, meqë dukej se e bëri padashje për shkak të mungesës buzore, nxitoi të më kërkonte falje duke më zgjatur dorën, kockat e së cilës m’u duk si çark. Unë fshiva fytyrën me mëngë dhe ika. Pështyma e tij më ngjalli ndjesinë e atij lëngut erëkeq në korridorin e ngushtë të shtëpisë. Ktheva njëherë kokën dhe vura re skeletin që po më ndiqte nga pas, duke zgjatur drejt meje një buqetë me lule shumë të bukura. Vrapova deri sa iu zhduka nga sytë dhe u fsheha pas një grumbulli plehërash, madje u zhyta në to për t’u fshehur. Pas pak, vura re se plehrat nuk ishin veçse njerëz të vdekur. Klitha dhe u hodha përpjetë, sepse diçka më kafshoi prapanicën, gjest që më bëri të gjendesha përsëri në mes të rrugës. Skeleti, që kishte mbetur i hutuar në një udhëkryq, sapo më pa, u sul drejt meje i gëzuar. Renda me gjithë fuqinë dhe u futa në një tunel të ngushtë, që dukej se përdorej për raste katastrofash. Ndjeva se mbrapa meje po zvarritej edhe dikush tjetër. Doja të ktheja kokën, por nuk munda. Zëri mbrapa kërkoi të më qetësonte, duke prpozuar të vazhdoja zvarritjen pa e vrarë mendjen dhe filloi të bisedonte për gjëra që nuk kishin lidhje me atë situatë. Në fund të tunelit ishte një sallë e ndriçuar keq, ku u gjenda para disa kafazëve me majmunë brenda. Ata, sapo më panë, filluan të më përqeshnin e të ulërinin me sa kishin në kokë. Kur vunë re atë që duhej të dilte nga tuneli pas meje, klithën të tmerruar dhe pastaj heshtën si me urdhër. Kur ktheva kokën, njoha skeletin, që kujtoja se e kisha shmangur, i cili më zgjati menjëherë lulet. Unë ia rrëmbeva me inat nga dora, duke menduar se shpëtova, por, në çast, gjithçka u shndërrua në një sallë të madhe gjyqi, me orendi të vjetra e kalburina, nëpër të cilat zunë vend skeletë të tjerë, të cilët dukej sikur nuk ecnin, por rrëshqitnin mbi patina. Ngela i shtangur para tyre, me buqetën e luleve në duar, nga e cila mbeti vetëm një grusht shkopinjsh të thatë. Gojëhapur, hodha sytë andej nga ishte vendi më i lartë, ku zakonisht duhej të qëndronte gjykatësi dhe ai ishte skeleti që më kishte ndjekur gjithë kohën. Hodhi një rrobë të zezë mbi supe dhe goditi tavolinën me një tufë brinjësh duke ulëritur:
- Qetësi! Jeni të gjithë gati?
- Poooo! – u përgjigjën të gjithë, përveç meje.
- Atëherë, tërhiqni, por vetëm nga një, ashtu siç është rregulli!
    Skeletët më rrethuan dhe rrëmbyen secili nga një shkop të tufës së thatë, që shtrëngonte dora ime e ngrirë. Të gjithë i tundnin lart në ajër, si për t’ia treguar sallës, dhe gëzoheshin duke ulëritur se nuk u kishte rënë atyre. Papritur, njëri prej tyre hungëriu dhe më zgjati gishtin tregues drejt meje, duke belbëzuar emrin tim, të cilin dukej se të gjithë e dinin. Në dorën time kishte ngelur një shkop, më i shkurtri i ish-buqetës. Ngrita supet dhe vështrova gjykatësin paksa me dashamirësi, i cili filloi të më ulërinte si i çmendur:
    - Pse nuk tregon? A e di ti që nuk mund t’u shpëtosh kurrë këtyre gjërave, ëëë?!
    - Po, e di! – iu përgjigja, pa ditur ç’të thosha tjetër.
    Ai sikur u zbut nga ajo përgjigje dhe, duke mos e mbajtur dot një të qeshur që i doli në çast, u drejtua nga mua e thirri fort:
   
 - I pandehur! Fillojmë!
    Por unë nuk e kisha mendjen. Ia isha ngulur sytë shkopit të shkurtër që më kishte ngelur në dorë, duke mallkuar nëpër dhëmbë.

 

Gurët 
 

Sizifit i ishte mbushur mendja se ata nuk kishin të drejtë, madje kurrë nuk kishin patur. Çdo çast i kujtohej fytyra e atij që erdhi e i dha lajmin, ose më mirë urdhërin, dhe, pasi i ktheu krahët, buzëqeshi me ironi. Edhe Sizifi, që priste gjithçka prej tyre, e përqeshi lajmëtarin duke i mbledhur turinjtë e duke u shtrembëruar në mënyrë të tillë, që më shumë të trembte, se të bënte për të qeshur. Pastaj rrëmbeu me forcë gurin dhe nisi ta rrokulliste drejt majës së malit. Iu duk e pamundur, madje çmenduri ta shpinte deri atje, por uli kokën dhe vazhdoi rrugën duke dihatur. E kishte bërë aq herë atë rrugë, sa harroi fare përse duhej ta shpinte gurin deri atje. Mos vallë, në fillim donte të argëtohej me të ose të dënonte veten në njëfarë mënyre, pastaj kishte vazhduar ta bënte për forcë zakoni? Po sikur lajmëtari ta kishte gënjyer? E la gurin në majë të malit dhe qëndroi të pushonte disa çaste duke e vështruar. E kishte rrumbullakosur, meqë ashtu e kishte të lehtë ta rrokulliste. Po priste që guri të lëshohej vetë poshtë, si gjithmonë, por ai s’lëvizi. S’e kuptonte ç’po ndodhte. Ai gur kishte aq shumë kohë që e shoqëronte dhe bënte zhurmë bashkë me të: i fliste, e godiste, e shante, e pshurte, madje aq shumë sa ishte bërë i verdhë dhe i heshtur si gur varri. Mbase ishte gur varri, vetëm se duhej t’i gjente vendin, atje ku prehej ndokush. Priti pak dhe u nis vetëm duke fishkëllyer nëpër rrëpirë. Kur mbërriti rrëzë malit i doli para lajmëtari që tallej me të. Ai, pa e sqaruar për asgjë, i tregoi me gisht një gur tjetër, akoma më të madh, që e priste më tutje. Sizifi u inatos, e zuri prej gryke lajmëtarin dhe i thirri me gjithë forcën e mushkërive në fytyrë duke e spërkatur me pështymë: “Le të vijnë vetë të më urdhërojnë po ua mbajti!’’
    Lajmëtari u tremb dhe iku duke iu marrë këmbët nga nxitimi. Sizifi mbeti vetëm me gurin e ri që qëndronte pranë tij. Ky ishte tepër i lëmuar dhe tamam si sferë, sikur të ishte gdhendur nga një mjeshtër i madh.
    ‘’Me siguri e kanë bërë ata”, - mendoi dhe pështyu me neveri, “por do të vijë edhe koha ime!’’
        Iu afrua dhe i vuri shpatullat. Filloi ta shtynte drejt majës, ku prehej guri tjetër. Kur të arrinte, priste të gjente atje ndonjë lajmëtar tjetër që ta urdhëronte për ndonjë gjë akoma më absurde për të bërë. Por atje ndodhej vetëm guri i vjetër, që heshtte si gur varri. Vështroi rreth e rrotull. Menjëherë dëgjoi mbrapa krahëve një zhurmë të madhe: guri i sapongjitur po merrte rrugën që dukej se do ta bënte për shumë kohë, mbase përgjithmonë. Psherëtiu me ngadalë dhe e ndoqi kokëulur.
    Vazhdoi ashtu për shumë kohë, me shpresën se ndonjë ditë e ndalte gurin në vendin e duhur, mbi ndonjë varr që kushedi kush prehej. E kishte ngulur në të gjitha vendet në majën e malit, por ai lëshohej poshtë, çdo herë më me furi, sikur të këmbëgulte se e dinte vetë se ajo gropë ndodhej poshtë. Njëherë e goditi fort gurin e madh me grusht dhe ai u ça më dysh, sikur u pre përgjatë një vije të paracakuar nga ndonjë fat i madh. Sizifi, i shtangur, zgurdulloi sytë brenda tij. Që atje doli dikush, drejtoi trupin dhe filloi të gogësinte. I buzëqeshi Sizifit me mirësjellje dhe filloi të bënte disa gjeste jonormale.
     “Qenka budalla! - mendoi. Unë paskam ngjitur për shekuj në majë të malit një budalla. Po tani çfarë t’i bëj?’’.Befas i ndriti fytyra.
     -Shpëtova! – thirri fort.
    Njeriu budalla e vështroi i habitur. Sizifi i nguli sytë ftohtë për disa çaste. Të dy qëndronin pa lëvizur. Sizifi iu hodh në grykë dhe filloi ta shtrëngonte me duart e fuqishme. Njeriu nuk bëri rezistencë dhe dha shpirt menjëherë. E futi përsëri brenda gurit dhe filloi ta ngjiste lart. Kur arriti në majë nxorri njeriun e vdekur dhe filloi të gërmonte dheun si i tërbuar. E hodhi kufomën në gropë duke i vënë gurin përsipër me delikatesë. Priti pak çaste: mrekulli, ai s’lëvizi.
    U ul të pushonte pak; ishte hera e parë. Të dy gurët ishin pranë. I vjetri dukej dukej sikur sa vinte e ngulej thellë në dhe. Asnjëherë s’e kishte pyetur veten se kush mund të ishte varrosur poshtë tij. Mbase ndonjë budalla tjetër, mbase ndonjë lajmëtar i rremë, kushedi. Donte të ikte sa më parë që aty, por ishte tepër kurioz. Iu drejtua gurit të vjetër. E dinte se çdo gjë mund të fillonte përsëri nga e para, edhe këtë herë përjetësisht, por e kapi fort dhe e ngriti, pastaj e hodhi në rrëpirë. Guri filloi rrokullisjen e çmendur me një zhurmë shurdhuese.
    Gërmoi dheun rreth e rrotull, por nuk gjeti as kufomë, as ndonjë skelet. Gërmoi edhe më thellë, për tu siguruar, por asgjë. Guri tashmë ishte ndalur poshtë malit. E vështroi gati me mosbesim, dhe ngrysi vetullat si kurrë ndonjëherë, ashtu si bëri njëherë me gruan(ish gruan). Qeshi me të madhe dhe u nis poshtë. I gjithë mali oshëtiu nga një hungërimë e zgjatur, që ngjante më shumë si përplasje gurësh brenda një gurmazi të pluhurosur.

 

Gjymtimi

    Duke ecur në një rrugë me gropa, dëgjova mbrapa meje disa hapa të shpejtë. Ktheva kokën dhe pashë një njeri që nxitonte. Pasi më parakaloi, u pengua dhe u rrëzua përtokë si thes i mbushur me rërë duke bërë zhurmë të mbytur. Koka iu përplas në llucën e një pellgu dhe filloi të pështynte duke nxjerrë klithma acaruese. E kapa nga krahu, për ta ndihmuar të ngrihej, por i’u këput e më ngeli në dorë: ishte prej druri. Papritur, filloi të më shante më një fjalor të ndyrë, që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. U nxeha dhe i futa një shqelm, ashtu siç ishte, i shtrirë përtokë. Në atë çast më panë dy policë, të cilët u sulën drejt meje. Njeriu i shtrirë vazhdonte të shante, ndërsa policët m’u afruan, më kapën të dy me dhëmbë nga supet, duke m’i kafshuar fort rrobat dhe më ngritën në ajër. Krahët e tyre rrinin të varur poshtë si diçka pa jetë. Mbase edhe ata i kishin prej druri. Nuk i kuptoja se çfarë thoshin me gojën e shtrënguar fort pas rrobave të mia që të mos ikja, por u thashë që të mos flisnin shumë se do të më bënin me jargë dhe jargët e policëve nuk i duroja dot. Njeriu i shtrirë mundohej të ngrihej dhe përpëlitej në baltë. Duke bërë ashtu, i’u shkëput nga trupi edhe krahu tjetër e të dyja këmbët, e megjithatë, pasi u ndal, as qau as qeshi, por mbështeti faqen përtokë dhe, duke kapulitur sytë, tepër i qetë, filloi të mendohej me vështrimin e larg, si një njeri para gjumit, kur është i sigurt se e presin vetëm ëndrra të bukura. Mendova se, përveçse i gjymtuar, ishte edhe budalla. Gjëja më vështirë, por jo e pamundur, është të bësh veten të shohësh të tilla ëndrra.
    Policët, pa ia hedhur fare sytë njeriut të shtrirë përtokë, më tërhoqën me dhëmbë drejt një ndërtese në fund të rrugës. Atje brenda ishte kreu i tyre. Ai, pasi i dëgjoi policët, që akoma nuk më kishin lëshuar dhe flisnin të dy njëherësh, tundi kokën në mënyrë të tillë që dukej sikur kuptoi gjithçka, si një njeri shumë i zgjuar, që i thithte gjërat shpejt, dhe që dukej se kjo i ishte bërë zakon. Hapi gojën, mbase për të më ulëritur ose për të më dhënë ndonjë dënim, por i ranë të gjithë dhëmbët mbi tavolinë, duke bërë zhurmë si rruaza që shkëputen nga ndonjë gjerdan i mykur. I skuqur në fytyrë nga inati, u hodh përpjetë nga karrikja, por u rrëzua përtokë. Edhe atij iu shkëputën  të gjitha gjymtyrët e trupit, të cilat dukej se ishin bërë prej druri të një cilësie shumë të dobët dhe i ngrënë nga krimbat shumë kohë më parë se t’u jepej formë. Policët më lëshuan, dhe, pasi kapën me dhëmbë kapon e tyre nga veshët, e hodhën trungun e tij mbi tavolinë, ku filluan ta lëpinin si ato lopët viçin e sapopjellë. Mbase ishte një mënyrë për ta qetësuar. Duke përfituar nga rasti, ika me vrap, megjithëse askush nuk po ma varte. Dola në rrugë dhe vazhdova pa e kthyer kokën mbrapa.
    Mendova se isha me fat që të paktën i kisha mundësitë për të vrarë veten, kurse ata të gjymtuar, nëqoftëse do t’u mërzitej ndonjëherë jeta, për çfarëdo arsye, nuk do të mundeshin ta bënin vetë. Do të ishin të detyruar të vritnin njëri-tjetrin, gjë që, vetëm me gojë, është shumë e vështirë, sidomos pa dhëmbë. Ose, për të pakësuar vuajtjet, do të detyroheshin t’u luteshin njerëzve si unë.

 

Hija

    Unë eci me shumë kujdes nëpër rrugët e qytetit. Shmangem me zotësi majtas e djathtas, që njerëzit e shumtë, të cilët nuk e kanë mendjen kur ecin me kokën lart, të mos më shkelin hijen. Kohët e fundit është bërë shumë e gjatë dhe e ngathët. Mund t’i ndodhë gjithçka nëpër rrugë, sidomos në ato më të ngushtat, ku me vështirësi këmbehen dy hije. Sa herë që e shkelin ndjej dhimbje të tmerrshme, sikur më shkelin mua vetë. Fajin e kanë edhe dritat e shumta anash rrugëve, që e shumëfishojnë aq shumë, sa më merren mendtë. Në fakt, me hijen time të vërtetë, ndihesha edhe më keq: kjo që përdor nuk është hija ime. E vërteta është se këtë ia kam marrë një të vdekuri, ndërsa timen e fsheha në një nga varret e mia, të cilat i njoh vetëm unë dhe as hijes sime të vërtetë nuk ia kam treguar; kur i gërrmova e vura në gjumë në shtëpi dhe ika fshehurazi. Ishte natë pa hënë dhe nuk besoj të më këtë parë ndokush, sepse, sikur të më ketë përgjuar ndonjë i paskrupullt, mbarova: deri në fund të jetës nuk do të mund ta ndërroj përsëri hijen, ai do të ma ketë vjedhur dhe nuk do të isha i pari që do t’i ndodhte kjo. Dikujt, që e kishin parë ku e kishte fshehur hijen e vet, ia kishin vjedhur e ia kishin çjerrë me thonj, pastaj ia kishin flakur përpara derës së shtëpisë. Kur i zoti pa hijen e çjerrë barbarisht vdiq në vend nga hidhërimi. Unë dua ta ndërroj patjetër hijen para se të vdes, dua të varrosem me hijen time të vërtetë. Do ta lidh ose ngjit fort pas trupit, që të mos ma marrin. Uroj vetëm që të kem kohë ta bëj ndërrimin para se të vdes, pra, ta kuptoj se kur do të më vijë vdekja, gjë që është pak e vështirë, por jo e pamundur, sepse, fundja, veten në dorë e kam. Pasi ta kem lidhur mirë hijen në trup, do t’u lutem të tjerëve të më mbërthejnë mirë pas arkivolit, që të jem më i sigurt. Mbase do të përpiqen të ma shkulin, pasi të kenë hapur arkivolin, por, e shumta, mund të këputin vetëm ndonjë copë pa rëndësi dhe do të marrin nga pas si një mallkim erën e keqe të kufomës sime. Unë vetë, kur bëra këtë punë, ia kisha blerë hijen atij njeriu që kur ishte gjallë, prandaj e mora të gjithën, ai nuk e kishte lidhur apo ngjitur pas vetes. Kur i hapa arkivolin, hija e tij sorrollatej atje e mërzitur. Sapo më pa, u ngjit te mua me vërtik, pa hequr ende hijen time, e cila, megjithëse e përgjumur, mundi të më gjente. Ndjeva keqardhje, pasi ishte nata e fundit me të derisa të isha gjallë, por nuk mund të bëja ndryshe: me hijen e të vdekurit ndjeja më pak dhimbje.
    Tani jetoj i qetë, megjithëse hija e re më rri pak e madhe, por nuk ka shumë rëndësi, se do të mësohem me kalimin e kohës. Më rri pak e madhe te koka, përshembull: zgavrat e syve të saj mua më rrinë te veshët dhe goja te gurmazi im; kur përtypem duket sikur më është shqyer gryka, por janë gjëra që kanë pak rëndësi për mua. E vetmja e metë e pandreqshme e hijes është se ajo qesh shumë, pothuajse gjithmonë vetëm gajaset me të madhe. Mbase i vdekuri do të ketë qenë ndonjë klloun ose budalla. Qesh me një hi-hi-hi të zgjatur, por që, kur jam në qejf, më pëlqen. Ndonjëherë zgjohet në mesnatë dhe më bën të ngrihem vërtik nga të qeshurat. Unë, si tip, jam shumë serioz dhe më vjen keq për hijen time të vërtetë, e cila po vuan mbyllur atje, në arkivolin e dikujt që nuk e meriton, dhe që tashmë ka nxjerrë dhëmbët. Shpresoj të mos mërzitet shumë atje, derisa të shkoj e ta marr përsëri. Tani për tani e ndjej veten mirë, megjithatë, varrin e kam bërë gati. Në të vërtetë janë disa, ku do të shkruaj emrin tim, te të gjithë, në mënyrë që të mos ma gjejnë varrin për të vjedhur hijen e vërtetë. Nëpër varre do të vendos të tjerë njerëz, pasi t’i kem masakruar, që të mos njihen, por hijet nuk do t’ua prek. Do të vras njerëz që mundësisht të kenë hije të ngathëta, që zvarriten, kështu që mund të kapen lehtë. Ata do të mendojnë se është hija ime e vërtetë dhe do të largohen mendjefjetur, ndërsa unë do të prehem i qetë, me hijen time, në ndonjë qoshe të humbur të këtij planeti. Uroj vetëm që hija, të cilën po përdor tani, të mos bjerë në dashuri me mua e të mos ketë dëshirë të vijë tek unë, pasi do të më zbulonte varrin e vërtetë (hijet nuk mashtrohen aq kollaj sa njerëzit) dhe do të grindej me hijen time. Do të bëhej një zhurmë aq e madhe, sa, patjetër, dikujt do t’i tërhiqej vëmendja: ka shumë njerëz që enden natën nëpër varreza.