I uritur, hungëritshëm, u kanosem gurëve kilometrikë
të autostradës njerëzore
që Tokën…(si një shirit)
si një shirit
e pagëzon hyjni
megjithëse virgjëreshë të ve
                shtrirë
si krimbi i zi i harresës
që na lë të vdesim syshqyer
shtangur nga makthet e lepujve të egër
fshehur prej avionëve antikë, tashmë
të heshtur e të fyer

 

------                                                                

 

Kur të jem ngopur
do të vrapoj drejt malit tim
do të hidhem në gojët e ujqërve
dhe ata do të më çojnë
tek ulkonja plakë
do të pijmë gjakun e njëri - tjetrit
dhe, pasi të qajmë pak,
do të nuhatim erën e do të dalim për gjah
më në fund

 

------

 

Ninulla supermenësh
na rrëshqasin nga fytet e çjerra
milionat e copave
zjarr i ndryshkur vjellë mbi vete
na u thanë duart, ia drejtuam diellit
nëpër mjegullat që na urrejnë mes lotëve
zgjodha më në fund
do të jem
ushtar antik
tani mbeturinë e vetes
një sy mbi urë, tjetri rob i mishit të zemëruar
vendosa të jem
më hidhni sytë dhe vdisni
gjithë ato hieroglife janë fytyra
ha – ha – ha

 

------

 

Urat 

Urat që do të ndërtojmë drejt hiçit
do të jenë të forta, tepër të forta
kur, ndonjëherë, të kthehemi prej Atje
do të na mbajnë mbi supe
si bijat tona besnike, me këmbët ngulur
mbirë mbi kafkat dhe eshtrat tona
të hirnosura

 

------ 

  

Hajmali fluturash të çmendura

Gjahtari lajmëroi sytë dhe veshët
Që kohës i kishin pritë
Të nesërmen herët do të mashtrohej mjegulla
Drita dhe era, gjarpërinjtë dhe Sfinksi
Do të mashtrohej pylli dhe mishi i ethur
Dhëmbët do të fshiheshin pas njëri-tjetrit
Heshtat do të ngrinin pas veshëve përgjues
Djersa do të fashitej me bar e lëkurë
Mynxyra do të ngelej rob stomaku
Gjethet do të mbaheshin peng
Fryma do të përdhunej
Këmbët do të ajërzoheshin
Zojzi do të përlotej gjethshëm
Qielli do të zmbrapsej në fshehësirë
Më në fund, era bujare do të sjellë hajmali
Dhëmbë qensh, pronë fluturash të çmendura
Që mallkimin zvarritin ndanë pluhurit të magjes tokësore

 

 ------ 

 

kështjella e vjetër volli
kuajt skeletorë dhe minjtë e zinj
ushtarët si vrer stomaku kanceroz
perënditë ikën të zemëruara
shigjetarët shtrënguan nofullat dhe thyen dhëmbët
korbat vazhduan zorrëçthurjen e përlyer me kokërdhokë dhjamorë
Kroni kthehu edhe një herë kokën, duke pështyrë jargët e përgjakura grykore
për të mos u kthyer kurrë më

 

------ 

 

ti erdhe
dhimbjen zbute me erën e trupit
e vetmja gjë që dua të jem
dhëmbi i parë në gojën tënde
më shpëtove

përgjithmonë